Aleanca Franceze e Prishtinës hap dyert për vizitorë, vlerësohet interesimi i të rinjve për mësimin e gjuhës frënge

Aleanca Franceze e Prishtinës ka organizuar sot ditë të hapur për të prezantuar aktivitetet e saj. Ajo ka nisur në orën 10:00 për të përfunduar në orën 18:00, me aktivitete si njohje të tri gjuhëve që mësohen aty, aktivitete për fëmijë, seanca informative në lidhje me studimet në Francë dhe kuiz muzikor për muzikën franceze.

Drejtoresha e këtij instituti, Anne-Sophie Veyrier, ka thënë se gjatë kësaj dite ka pasur mjaft vizitorë që janë interesuar për aktivitet e paralajmëruara.

“Kemi pasur shumë të interesuar, shumë njerëz që kanë ardhur dhe shumë njerëz që nuk kanë pasur aspak njohuri për gjuhën frënge, të cilët janë regjistruar dhe janë të interesuar të vijnë të mësojnë gjuhën frënge. Shumica kanë qenë fëmijë që kanë ardhur prej moshës 6 deri në moshën 15 vjeç. Por kemi pasur edhe shumë studentë që kanë ardhur dhe kanë dashur të informohen për studimet apo për kurset që ne i organizojmë këtu”, ka thënë Veyrier për Ekonomia Online.

Ajo ka treguar për mundësitë që ofrojnë për studentët të cilët duan të studiojnë në Francë.

“Përveç informatave për studentë që duan të shkojnë të studiojnë në Francë ose në vendet ku flitet frëngjishtja, ne ofrojmë kurse të gjuhës frënge, në mënyrë që ata studentë të integrohen më lehtë në Francë apo kudo qofshin në ndonjë vend frankofan. Ne ofrojmë edhe teste të gjuhës që quhen Delf dhe që janë teste zyrtare të njohura ndërkombëtarisht dhe që janë të kërkuara për një student që dëshiron të studiojë në Francë”.

Po ashtu, Zana Miftari, profesoreshë e gjuhës frënge në Aleancën Franceze të Prishtinës, ka treguar për të interesuarit për studime jashtë vendit gjatë kësaj dite dhe interesimin e të rinjve kosovarë për gjuhën frënge.

“Ka pasë mjaft të interesuar për baçelor dhe master. Kanë qenë disa grupe të adoleshentëve që kanë ardhur të ndjekin një seancë të shkurtë të kurseve, pak a shumë të informohen se si shkon dhe si funksionojnë kurset te ne”.

Ajo i ka dhënë një rëndësi të veçantë dhe të domosdoshme diplomave Delf-Dalf.

“Mirëpo është shumë e rëndësishme, dihet që për studime në Francë, duhet patjetër provimi Delf për cilindo drejtim që e regjistroni”.

Miftari ka thënë se kjo ditë e hapur është një lloj promovimi për Aleancën Franceze.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

X